Aksioni i policisë dhe prokurorisë në “Call Center”, bllokohen mbi dy milionë euro

Aksioni i policisë dhe prokurorisë në “Call Center”, bllokohen mbi dy milionë euro

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë vazhduar aksionin në “Call Center”, ku të hënën e 5 prillit ka sekuestruar një milion e 529 mijë e 750 euro, njofton Insajderi.

Sipas prokurorisë, këto para dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.

Aksioni, i nisur më 31 mars 2021, është zhvilluar në gjithsej 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj.

“Prokuroria Speciale njofton se nga aksioni Policisë së Kosovës, i realizuar më datë 5 prill, janë gjetur dhe sekuestruar një milion e pesëqind e njëzetenëntë mijë e shtatëqindepesëdhjetë (1.529.750.00) euro, para këto të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e  “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Krimit të organizuar’”, thuhet në komunikatën për medie të prokurorisë.

“Vlen të theksohet se nga data 31 mars 2021 e deri më sot nga ky operacion i Prokurorisë Speciale janë gjetur dhe sekuestruar një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë (1.689.750.00) euro, janë ngrirë shtatëqind mijë (700.000) euro, janë sekuestruar nëntë (9) vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com