Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka deklaruar se të martën gjatë ceremonisë së inaugurimit të Presidentes Vjosa Osmani është vërejtur se ka pasur, siç ka thënë ai, lëshime për sa i përket mënyrës së përdorimit të simboleve shtetërore, konkretisht flamurit, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, ai është shprehur se flamuri partiak (cili do qoftë ai) në ceremoninë e inaugurimit të Presidentes, nuk është tregues i karakterit unifikues të presidencës.
“Kjo çështje rregullohet me Kushtetutë si në vijim:
Neni 6 [Simbolet]
- Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.
- Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj”, ka shkruar Totaj.
Reagimi i tij ka ardhur pasi që në ceremoninë e inaugurimit të Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, flamuri Dardan ishte vendosur afër atij të Kosovës./Insajderi.com