Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka komentuar dorëheqjen e sotme të Qazim Rrahmanit nga pozita e Zëvendësministrit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, njofton Insajderi.com
Sipas Miftarajt, Rrahmani ka dëshmuar integritet. Miftaraj thotë se akti i dorëheqjes e rrit integritetin e qeverisjes në Kosovë.
“Mesazh për te gjithë se me i rëndësishëm është interesi institucional se privilegji individual. Respekt për këtë veprim Qazim!”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Qazim Rrahmani ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e zv. ministrit në Ministrinë e Financave. Sipas tij, arsyeja e këtij vendimi është se subjekti i tij PAI e ka parë të arsyeshme që Rrahmani të jap kontributin e tij në një pozitë tjetër politike.
Më 1 tetor 2018, Qazim Rrahmani ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Për këtë vepër penale e cila hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit zyrtar, Rrahmani ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.
Mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro.
Po ashtu, Rrahmani ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) edhe shumën prej 4,858.89 euro./Insajderi.com