Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka komentuar vendimin e bashkëpartiakes së tij, Albena Reshitaj, për të qëndruar në sallën e Kuvendit dhe për të votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, transmeton Insajderi.
Ai është shprehur se nëse Reshitaj ka vendosur t’i marrë benefitet nga ky pazar, sipas tij, le ta bëjë, por se mandati duhet të kthehet në parti.
Berisha ka theksuar se nuk është befasuar nga ky veprim i deputetes Reshitaj.
Ai ka shtuar se atij nuk iu ofrua ndonjë gjë në shkëmbim të votës.
“Njihem në opinion si njeri që nuk hyj në këto lloj pazare. Ata shkojnë te njerëzit me karaktere më të dobëta. Krejt Kosova e di që ne e kemi një qëndrim dhe e mbajmë atë”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.
Nërsa, për zgjedhjen e Osmanit presidente, ai ka thënë se kjo është bërë me pazare politike.
Ai i ka quajtur të pafytyrë politikë ata deputetë që dolën kundër vendimeve të partive të tyre dhe i akuzoi se tradhtuan votat e tyre.
Sipas deputetit të AAK-së, Qeverisë Kurti II duhet t’i jepet koha e nevojshme prej 100 ditësh që të fillohet me opozitarizëm./Insajderi.com