Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kritikuar Qeverinë Kurti II, pasi kjo e fundit ka refuzuar që vaksinimit i mësuesve në Kosovë të kryhet me vaksina të ardhura nga Kina, të ofruara nga Shqipëria, njofton Insajderi.
Sipas saj, përpara se qeveria t’i refuzonte ato vaksina, do të duhej të zhvillonte një debat transparent dhe pa ngarkesa politike me profesionistët shëndetësorë.
Në një postim në Facebook, Deliu është shprehur se “mbetet e pakuptimtë mungesa e një mendimi profesionistë nga IKSHPK mbi refuzimin e vaksinimit të mësuesve me dozat e ofruara nga shteti shqiptar”.
“Përpjekja për t’u treguar parimor mbi kurriz të tjetrit është hipokrizi! Në vend të vendimit arbitrar të mbështetur mbi interesa partiake, Qeveria duhet të iniciojë një konsultim të hapur me profesionistët shëndetësor vendor dhe ata të Shqipërisë, për të konkluduar një vendim të arsyeshëm dhe mbi të gjitha në interes të shëndetit të përgjithshëm publik.
Qeveria nuk ka nevojë të ndjehet e ngarkuar nga perceptimet për prejardhjen e vaksinave, por t’u besojë rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor dhe t’u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve. Pa një diskutim profesional dhe publik me gjithë akterët kompetentë, vendimi mbetet diskutabil”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e PDK-së./Insajderi.com