AAK kërkon nga Qeveria kthimin e Ligjit të Pagave

AAK kërkon nga Qeveria kthimin e Ligjit të Pagave

Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me Ligjin e Pagave, njofton Insajderi.

AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të kthejë procedurën e Ligjit të Pagave në Qeveri dhe me amandamente shtesë t’ia dërgojë Kuvendit.

Haradinaj është shprehur se sipas tij, gjatë qeverisjes së tij përmes Ligjit të Pagave i ka dhënë status dinjitoz secilit zyrtar publik dhe se për këtë është punuar për 10 vjet.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta rikthejë procesin në Qeveri dhe ta amandamentojë aty ku ka pasë vërejtje dhe ta kthejë në Parlament për t’i dhënë përkrahje këtij ligji”.

Derisa u pyet nëse kjo është forma e opozitarizmit të cilin po e bëjnë me anë të mbajtjes së konferencave pothuajse çdo javë, kreu i AAK-së u përgjigj se kjo që po bëjnë nuk është opozitarizëm por ndihmë për Qeverinë duke dhënë sugjerime.

“Mendojmë se Qeveria është në ditët e para dhe është me rëndësi që të ia kujtojmë disa tema të rëndësishme për jetën tonë, ne nuk po bëjmë opozitarizëm duke mbajtur konferenca çdo javë, por po japim ndihmë duke dhënë sugjerime”, ka thënë ai.

Tutje Haradinaj shprehi mendimin e tij lidhur me vaksinimin e mjekëve dhe mësuesve kosovarë në Shqipëri, meqë tashmë si zgjidhje kanë mbetur vetëm vaksinat kineze, ai tha se është më mirë që vaksinat të sigurohen brenda Kosovës, duke besuar që një ndihmë për këtë do të mund të jepte Amerika.

“Nuk e shoh si zgjedhje me shku mjekët e mësuesit në Shqipëri për tu vaksinuar port duhet t’I sigurojmë vaksinat që të vijnë në Kosovë, e që besoj se Amerika do të mund të ndihmonte Kosovën në këtë aspekt. I propozoj edhe Kryeministrit edhe Presidentes që të kërkojnë t’I drejtohen Amerikës”, ka thënë Haradinaj. /Insajderi.com