Policia e Kosovës ka arrestuar sot të dyshuarin kryesor për financim të grupeve terroriste shqiptare, biznesmenin pejan, Fatos Rizvanolli, ka mësuar Insajderi.
Rizvanolli, pronar i bizneseit “Rent a car Tosi”, dyshohet se ka kryer transportin e kosovarëve për në Siri si dhe ka mbuluar financiarisht udhëtimet e tyre për t’ju bashkuar grupeve terroriste.
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar derisa bizneset dhe pronat e tij në Prishtinë dhe Pejë janë bastisur.
Operacioni i nisur në ora 6 të mëngjesit të ditës së sotme ka rezultuar me konfiskimin e një seri provash materiale.
Policia ka njoftuar se Drejtoria Kundër Terrorizmit pas hetimeve të gjata lidhur me një rast të mëhershëm, në bashkëpunim me njësitë tjera policore dhe e mbështetur edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të Fatos Rizvanollit.
Policia ka thënë se ndaj të dyshuarit që nga viti 2014 janë duke u zhvilluar hetime penale, nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka qenë në kontakt me persona dhe grupe të caktuara të personave nga Kosova, të cilët janë marrë me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist.
“ I dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, ka thënë Policia në një komunikatë për media.
Sipas Policisë, shumë persona të cilët i dyshuari Fatos Rizvanolli në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik, janë arrestuar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit”, ka thënë Policia.
Në këtë kontroll janë konfiskuar dokumentacione dhe pajisje elektronike të cilat konsiderohen prova që ndërlidhen me vepra penale.
Rizvanolli dyshohet për rekrutim për terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe lehtësimi në kryerjen e terrorizmit.
Policia ka realizuar një operacion tjetër të martën në Prizren. Ka arrestuar një person që dyshohet se ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist.