Udhëzimi Administrativ që shkel të drejtat e njeriut vazhdon të zbatohet

Udhëzimi Administrativ i cili ua mundëson komunave t’i kushtëzojnë qytetarët për ta paguar tatimin në pronë, del të jetë i jashtëligjshëm. Avokati i Popullit konsideron se ky Udhëzim shkel të drejtat e njeriut, duke u rekomanduar ministrive përkatëse ta ndryshojnë atë. Ministritë kanë qëndrime të ndryshme, përderisa kryetarët e komunave e shohin këtë si të vetmen mënyrë të vjeljes së tatimit në pronë.

Udhëzimi Administrativ që është miratuar më 13 korrik 2011 nga Ministria e Financave, e që vazhdon të zbatohet nga komunat, del të jetë joligjor i cili shkel të drejtat e njeriut.

Ky udhëzim ka të bëjë me kushtëzimet që komunat mund t’ua bëjnë qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë, nëse ata donë t’i marrin shërbimet tjera komunale.

Një ndër to është edhe regjistrimi i automjeteve, për të cilën kërkohen dëshmia e pagesës së tatimit në pronë.

Avokati i Popullit, bazuar në ankesat e qytetarëve, konsideron se kushtëzime të tilla janë metodë joligjore e vjeljes së tatimit.

“Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi nga ana komunave, me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t’u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, nuk është një metodë e ligjshme për vjelje të tatimit në pronë”, thuhet në raport.

Avokati i Popullit thotë se kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe si të tilla nuk mund të aplikohen.

Por në kohën kur ka hyrë në fuqi ky Udhëzim Administrativ, Ministria e Financave kishte thënë se ky nuk shkel të drejtat e njeriut.

“Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ aplikohen në pajtim të plotë me konventat dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në Udhëzimin Administrativ Nr. 07/2011.

Nëse merret për bazë konstatimi i Avokatit të Popullit, atëherë del se tash e gjashtë vjet po shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut me këtë Udhëzim Administrativ, i cili vazhdon të aplikohet.

“Ky Udhëzim ua mundëson komunave që t’i kushtëzojnë qytetarët ta paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që ata t’i gëzojnë shërbimet tjera të parapara në këtë Udhëzim”, thuhet në Udhëzim.

Megjithatë, Ministria e Financave, me këtë Udhëzim thotë ta ketë pasur për qëllim pavarësimin financiar të komunave dhe të zvogëlohen grantet qeveritare.

“… Qëllimi afatgjatë është që gradualisht të reduktohet grandi qendror, me ngritjen e të hyrave vetanake komunale dhe me marrjen përsipër të shpenzimeve të tilla”, thuhet më tej në këtë Udhëzim Administrativ.

Por, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ua kishte lejuar komunave që t’i kushtëzojnë qytetarët në marrjen e shërbimeve, por me kujdes që të mos preken liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Komunat kanë të drejtë të bëjnë kushtëzime në ofrimin e shërbimeve për qytetarët e saj atëherë kur vlerësojnë se me një veprim të tillë arrihet një qëllim i interesit publik, i cili interes realizohet para së gjithash nevojat e vetë qytetarëve të saj, por duke mos dëmtuar drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut”, thuhet në sqarimin e MAPL-së drejtuar komunave më 20.06.2012, të cilin e posedon Insajderi.

Meqë ky Udhëzim Administrativ parashihte edhe kushtëzime tjera në marrjen e shërbimeve, atëherë MAPL-ja konstaton se disa kushtëzime janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave për kryerjen e obligimeve të tyre ndaj Ndërmarrjeve Publike Komunale, nuk ka bazë ligjore dhe si të tilla nuk mund të aplikohen”, thuhet ndër tjera aty.

Ministria e Financave thotë se aktualisht është duke u marrë me ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë, dhe me pas do të hartohen edhe Udhëzimet.

“Aktualisht jemi në proces  të ndryshimit të Ligjit për Tatimin në Pronë. Pas miratimit të Ligjit do të hartohen edhe Udhëzimet e reja Administrative”, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Ministrisë, Muharrem Shahini.

Por, kryetarët e komunave thonë se ata janë vetëm duke e zbatuar udhëzimin që e ka nxjerrë Ministria.

Kryetari i Komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti, thotë për Insajderin se kushtëzimi i qytetarëve për shërbime tash për tash është mënyra e vetme për ta vjelë tatimin në pronë.

“Ne e kemi me Udhëzim Administrativ i cili është i lëshuar nga Ministra. Derisa ta shfuqizon Ministria, ne do të vazhdojmë ta aplikojmë. Është mënyra e vetme për ta mbledhur tatimin në pronë, ndryshe kurrkush s’e paguan”, ka thënë Ahmeti për Insajderin.

Megjithëkëtë, Avokati i Popullit, i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke  nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, dhe si të tilla, nuk mund të aplikohen.

Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Financave ndryshimin e dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 07/2011, që kanë të bëjnë me kushtëzimet e qytetarëve për pagesën  e tatimit në pronë./Insajderi.com