Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, ka akuzuar Mytaher Haskuka për largimin e partive opozitare nga zyrat e komunës.
PDK ka shprehur shqetësim për këtë, duke thënë se një veprim i tillë është totalitar.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Prizren, shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me vendimin arbitrar të Kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, me ç’rast përmes një konkluzioni të jashtëligjshëm, i cili është në kundërshtim me vendimin e organit më të lartë vendimmarrës në nivel lokal, konkretisht vendimin e vitit 2005, ushtron presion mbi forcat politike opozitare, që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Komunës së Prizrenit”, thuhet në komunikatë.
“Njoftimi për ekzekutim të dhunshëm, për largim të subjekteve politike nga zyrat, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre politike legale, që kanë qenë kontributdhënëse në periudha të ndryshme të qeverisjes në Komunën e Prizrenit, paraqet një prej veprimeve më jo institucionaliste, jo parimore dhe aspak demokratike, që nga pas lufta e deri më sot”, vazhdon komunikata.
PDK këtë veprim të qeverisë lokale në Prizren e ndërlidh me ngjarje të shekullit të kaluar.
“Mënyra e tillë e veprimit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, na kujton kohërat më të errëta në historinë më të re të Kosovës, kur regjimi i atëhershëm diktatorial, i nxirrte njerëzit me dhunë nga zyrat, nga shkollat, nga spitalet dhe më në fund edhe nga shtëpitë e tyre me forcë, sikurse tani që është vendimi për largim të dhunshëm me polici, ndaj subjekteve politike të Komunës së Prizrenit”.
Po ashtu kërkohet që ky vendim të tërhiqet sa më parë.
“Andaj, PDK dega në Prizren, kërkon nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, që të tërhiqet nga vendimmarrja jo e ligjshme, në të kundërtën PDK do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtës, që i’u takon të gjitha subjekteve politike, sipas vendimit të vitit 2005, të organit më të lartë vendimmarrës në Komunën e Prizrenit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së. /Insajderi.com