Paga minimale në këtë sektor vazhdon të mbetet 170 euro, ndërsa Azemi tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, u ka premtuar rritje për 180 euro.
Kryetari i kësaj sindikate, deklaroi se kanë bërë kërkesë për takim me Kryeministrin dhe pret që ky takim të ndodhë javën e ardhshme.
“Ne zyrtarisht kemi bërë kërkesë për takim me qeverinë në mënyrë që të miratohet ligji për pagën minimale dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e punëtorëve në vendin e punës duke e ditur se nga ai ligj nuk respektohen as 5 për qind, andaj janë të gjitha këto çështje që kemi nevojë për të sqaruar kur të takohemi”, pohoi ai.
Azemi tha që në Kosovë numri i punëtoreve pa kontrata pune është mbi 50 për qind, si e tillë tregon për gjendjen në sektorin privat dhe si sindikatë nuk e tolerojnë të ndodhin gabimet e njëjta sikur të qeverive të kaluara.
“Në çdo qeveri që ka ardhur në rend të parë i kemi kërkuar takim dhe paraprakisht i kemi informuar se çfarë do të bisedojmë, përndryshe ne jemi shumë komodë duke e kryer punën tonë, por jemi duke bërë kërkesë që çdo kryeministër i detyrohet punëtorëve të këtij sektori”, tha udhëheqësi i kësaj sindikate.
Ai shtoi se ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj gjatë qeverisjes së fundit i është dashur vetëm ta nënshkruajë ligjin për pagën minimale, ani pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërsa, tashmë ndihen të fyer në premtimet që kishte bërë Haradinaj, që paga e punëtorëve duhet të jetë mbi 1000 euro.
“Ramush Haradinaj ka pasur vetëm ta nënshkruajë ligjin për pagën minimale ku të gjithë jemi pajtuar që ajo të jetë 250 euro, ndërsa gjatë fushatës kishte thënë se paga e një punëtori duhet të jetë mbi 1000 euro”, tha Azemi derisa këtë gjë e konsideron qesharake.
“Si për qeverinë që ka ikur edhe për këtë tani, vjen një kohë që ne i provojmë dhe asnjëherë nuk duhet të përsëriten gabimet e qeverisë paraprake. Në vitin e kaluar kryeministri në detyrë ka deklaruar se paga minimale duhet të jetë 350 euro, ne sot vetëm jemi duke i rikujtuar premtimin e tij dhe është momenti që ky premtim të realizohet”, tha Azemi.
Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me zyrtarin për media në Qeverinë Kurti, Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Ndërsa, zyrtarja për media në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Hazbie Qeriqi ka thënë se pandemia ka vështirësuar edhe punën e kësaj agjencie në përditësimin e të dhënave, duke shtuar se anketimi i qytetarëve nuk po mund të bëhet për shkak të masave mbrojtëse kundrejt COVID-19.
“Ne për momentin nuk jemi duke mundur të bëjmë përditësimin e të dhënave për shkak se anketuesit tonë nuk po munden të dalin në terren, ndonëse edhe qytetarët janë duke hezituar të përgjigjen për shkak të masave mbrojtëse ndaj pandemisë”, tha Qeriqi, derisa shtoi se paga minimale vazhdon të mbetet 170 euro.