Masat e reja anti-COVID të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës nga 7 prilli, nuk po i pengojnë qytetarët kosovarë që të kalojnë kufijtë e Kosovës.
Sikurse udhëtimet nëpër kufijtë tokësorë, edhe ata ajror po realizohen në gjendje të njëjtë edhe pas vënies në fuqi të këtyre masave të reja preventive.
Kështu bën të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara.
“Fluturimet janë duke u realizuar me frekuencën e njëjtë siç ka qenë deri më tani dhe konform masave të Qeverisë të Kosovës”, deklaroi Gara.
Masat e reja nuk ndalën qytetarët që të dalin edhe nëpër vendet fqinje, që së fundmi është parë një fluks i madh i tyre që u drejtuan nëpër vendet bregdetare.
E premtja e 9 prillit pikën kufitare të Vërmicës e gjeti me kolona të dendura, ndërsa njoftohet se numri i qytetarëve që kaluan territorin e Kosovës për në Shqipëri, ishte mbi tetë mijë.
“Numri i personave që kanë kaluar kufirin duke filluar nga ora 00:00 deri në ora 11:00, në drejtim të Shqipërisë përmes Pikës së Kalimit Kufitarë Vërmicë dhe PKK Morinë, me datë shtatë, tetë dhe nëntë ka shkuar në tetë mijë e 818 persona”, ka deklaruar për Insajderin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Derisa zëdhënësi tjetër, Baki Kelani, zbuti situatën e krijuar nga rreshtimet e automjeteve nëpër kufijë, duke thënë se hyrjet dhe daljet nuk po shkojnë në ndonjë numër të madh zgjatjeje dhe qytetarët presin nga tre deri në pesë minuta.
“Hyrjet dhe daljet po zgjasin prej tre deri në pesë minuta në Glloboqicë, Stançiq, Qafë e Prushit, Qafë e Morinës, Kullë, Bërnjak, Hani i Elezit, Jarinje, Mutivodë, Muçibabë, Dheu i Bardhë, Merdarë dhe në përjashtim nga pika Vërmicë ku dalja zgjatë dhjetë deri në 15 minuta”, deklaroi Kelani.
Sipas vendimit të Qeverisë, për të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë dhe që dalin kërkohet testi RT-PCR negativ për Covid-19, ndërsa qytetarët e Kosovës i është dhënë afat të dalin dhe të hyjnë pa këtë test vetëm brenda 24 orëve.
“Të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë po ashtu edhe qytetarët e vetë Kosovës kërkohet testi përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë apo dalin nga çfarë do vendi sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në të kundërtën duhet të vetë izolohen për shtatë ditë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, të gjitha komunave i’u është kërkuar që të ofrojnë ekipet teknike mjekësore të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, që me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare përfshirë edhe matjen e temperatures. /Insajderi.com