Prishtina është komuna me numrin më të lartë të të infektuarve me Coronavirus në Kosovë. Vetëm Brenda një dite, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Emshir, ku trajtohen pacientët e infektuar, kërkojnë trajtim mjekësor deri në 400 persona.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi ka thënë se gjatë kësaj periudhe në kryeqytet numri i të infektuarve është i lartë.
“Rreth 3 mijë e 400 raste aktive deri tani që është një numër jashtëzakonisht i madh e dini që në janar i kemi pas rreth 1 mijë raste aktive tani është numri më i madh i rasteve aktive”, deklaroi drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë.
Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet, Bujar Gashi ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk i ka furnizuar me 18 artikuj të listës esenciale, por ka shtuar se nga ky institucion kanë marrë konfirmimin se do të nisë furnizimi së shpejti.
Gashi ka theksuar se përkundër që nuk janë furnizuar nga MSH, nuk kanë pasur mungesa për pacientët pasi kanë arritur të sigurojnë këto artikuj me kontratat vetanake të Komunës.
Nga 30 marsi në Kosovë ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor me vaksinën AstraZeneca. Ndërsa, nga data 8 prill ka nisur edhe vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeç./Insajderi.com