Neziri: Të rritet shkëmbimi tregtar Kosovë-Maqedoni e Veriut

Neziri: Të rritet shkëmbimi tregtar Kosovë-Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut dhe Kosova nuk kanë gati asnjë çështje të hapur. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësorë do të vazhdojnë të jenë karakteristikë edhe gjatë qeverisjes së Kurtit.

Kështu thotë analisti Xhelal Neziri, për Insajderin.

Sipas tij, tema që pritet të hapet është shkëmbimi tregtar, ku Maqedonia e Veriut tanimë dy dekada shënon një suficit të lartë.

“Pra Kosova është tregu më i madh rajonal, ose i treti në nivel global për kompanitë maqedonase. Maqedonia e Veriut eksporton në Kosovë çdo vit mbi 100 milionë euro, kurse importon rreth 10 milionë euro. Ka pengesa tregtare të cilat do të jenë në fokus bisedave gjatë takimeve të zyrtarëve të të dyja shteteve. Kurti do të tentojë të krijojë kushte më të favorshme për kompanitë kosovare në tregun e Maqedonisë së Veriut, edhe pse barrierat tregtare me këtë shtet janë vetëm 6 %. Sa për krahasim, këto barriera të vëna nga Serbia ndaj eksportit kosovar janë rreth 50 %, kurse nga Shqipëria rreth 25 përqind”.

Sipas tij, temë tjetër që do të jetë në fokus është siguria.

”Të dy shtetet janë të ekspozuara ndaj ndikimeve të jashtme që shpesh paraqesin sfida serioze për sigurinë e tyre. Andaj një bashkëpunim më i afërt dhe i sinqertë i institucioneve do të prodhonte një stabilitet më të qëndrueshëm”, është shprehur Xhelal Neziri.

Integrimet euroatlantike dhe politika e jashtme janë gjithashtu sfera ku do të ketë bashkëpunim, thekson ai.

“Nuk pres të ndodhë ajo që një pjesë e mirë e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë së Veriut presin të ndodhë – angazhimi i Kurtit për mbrojtjen e interesave të tyre në Shkup. Përderisa ishte në opozitë Kurti ka ardhur dhe ka protestuar disa herë në Shkup e Tetovë, duke dhënë një logjistikë të fortë për këto protesta. Shpesh është ndaluar në kufi nga policia e Maqedonisë së Veriut. Tani detyra e kryeministrit do t’ia kufizojë hapësirën e veprimit konform konventave dhe parimeve ndërkombëtare”, ka thënë Neziri./Insajderi.com