Sindikata e Arsimit kërkon që vaksinimi për mësimdhënësit të jetë primar

Sindikata e Arsimit kërkon që vaksinimi për mësimdhënësit të jetë primar

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po kërkon që vaksinimi për mësimdhënësit të jetë primar në mënyrë që të vazhdojë procesi mësimor.

Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, ka thënë se ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, iu ka premtuar vaksinimin mësimdhënësve pasi të arrijë një kontingjent tjetër.

“Qeveria të mos ta lënë në grupin e dytë por ta vënë në primar vaksinimin edhe në takimin që kishim me ministrin Vitia e kemi hapur këtë çështje dhe ministri Vitia ka thënë se po pret një ardhje të një kontingjenti në emër të donacionit që janë të pranueshëm për Kosovën dhe na ka premtuar se do të bëjë gjithë angazhimet nëse i lejojnë mundësitë dhe kapacitetet te numri i vaksinave që pas të moshuarve siç parashihet me manual ti jepet përparësi punëtorëve në sektorin e arsimit”, tha ai për EO.

Kosova ka pranuar 24 mijë vaksina nga projekti COVAX. Përparësi deri më tash kanë pasur personeli shëndetësor si dhe personat mbi moshën 80 vjeçare.

Javëve të fundit janë rritur infeksionet COVID-19, teksa numri i rasteve ka shkuar gati në 100 mijë e i vdekjeve në 2 mijë. /Insajderi.com