Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, veçanërisht për përpjekjet që Kosova po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të Presidencës, Osmani ka nënvizuar se sigurimi i vaksinave për qytetarët është prioritet themelor i institucioneve të republikës.
“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë COVID–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, ka thënë presidentja Osmani, thuhet në njoftim.
Më tej, Osmani dhe ambasadori Minxhozi kanë diskutuar për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.
“Ambasadori Minxhozi, pasi e uroi Osmanin për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën. ‘Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve’, tha Minxhozi”, përfundon njoftimi./Insajderi.com