Lajçak: Marrëveshja do të arrihet nëse ekziston vullneti mes palas shqiptare dhe asaj serbe

Lajçak: Marrëveshja do të arrihet nëse ekziston vullneti mes palas shqiptare dhe asaj serbe

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se marrëveshja “teknikisht është absolutisht e arritshme brenda disa muajsh, nëse të dy palët e duan këtë dhe nëse e kanë vullnetin politik” dhe vuri në dukje se shtetet anëtare të Unionit presin vazhdimin e dialogut pa vonesa dhe “të arrihet përparim i shpejtë në negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”.

Në intervistën dhënë agjencisë serbe të lajmeve “Beta”, Lajçaku tha se krerët në Prishtinë dhe në Beograd për këtë duhet të “investojnë përpjekje dhe kapital politik”, të kenë vullnet dhe guxim politik, si dhe “mandatin nga populli, që do të thotë besim, mbështetje dhe mirëkuptim për popujt e tyre për çështjet që negociohen për vendime të vështira përpara”.

“Çështjet që diskutohen, shpejtësia dhe përparimi varen nga vullneti i të dy palëve dhe BE-ja është këtu për të garantuar se gjithçka për të cilën është rënë dakord do të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, vlerat dhe normat e BE-së”, tha Lajçaku.

Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-së presin vazhdim të menjëhershëm dhe përparim të shpejtë drejt marrëveshjes, “me kusht që të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani të respektohen dhe zbatohen”, duke theksuar se marrëveshja “duhet të gjejë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e hapura dhe të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë Ballkani Perëndimor”.

Në pyetjen e agjencisë se çka pret nga vazhdimi i dialogut nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, thotë se kushti pa të cilin nuk ka negociata është që të zbatohet dispozita kryesore e Marrëveshjes së Brukselit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me fuqi ekzekutive, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti refuzon dhe thotë se çështja kryesore janë personat e zhdukur dhe se parimi i parë për dialog me Beogradin është që pavarësia e Kosovës duhet të pranohet, Lajçaku tha se BE-ja është një ndërmjetës, dhe se progresi varet nga të dy anët.

“BE-ja është ndërmjetës në dialogun Beograd-Prishtinë nga një arsye e thjeshtë, e ajo është që të sigurojë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugën e tyre drejt Evropës, por se çështjet se për çka diskutohet, për shpejtësinë dhe përparimin, varet nga vullneti i të dyja palëve. Prandaj BE-ja është këtu për të garantuar që gjithçka për të cilën do të bihet dakord do të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, vlerat dhe normat e BE-së, ndërsa në të njëjtën kohë është e vërtetë që vendet anëtare të BE-së presin që dialogu të vazhdojë menjëherë dhe që të dy palët të bëjnë shpejt përparim në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, dhe që në të njëjtën kohë të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të respektohen dhe zbatohen”, tha ai.

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 në nivel teknik për të vazhduar më 2012 bisedimet në nivel politik për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në 10 vjetët e fundit, Kosova dhe Serbia kanë arritur rreth 30 marrëveshje shumë nga të cilat nuk janë zbatuar në terren./Insajderi.com