Osmani: Ish-presidentët i kam ftuar në takim “për respektim të memories institucionale”

Osmani: Ish-presidentët i kam ftuar në takim “për respektim të memories institucionale”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti të martën në takim të përbashkët ish-presidentët: Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli, njofton Insajderi.

Me këtë rast, Osmani tha se të tre paraardhësit e saj i ka ftuar në takim për të dëshmuar respektin institucional.

“I kam ftuar për të tre për të kultivuar një kulturë të re institucionale, të respektimit të memories dhe traditës institucionale e cila është e domosdoshme nëse dëshirojmë që vendi ynë të ecë përpara”, deklaroi presidentja e vendit.

Për Sejdiun, Osmani tha se ka qenë njeriu kyç në proceset më historike të vendit, ndërsa shtoi se ka pasur nderin të bashkëpunojë me të.

Ndërsa, për ish-presidenten Jahjaga, ajo potencoi se ka përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke shtyrë përpara kauzat siç është barazia gjinore, e në veçanti çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sa i përket Pacollit, Osmani theksoi se ka mbuluar politikën e jashtme një kohë të gjatë./Insajderi.com