Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë i Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, ka deklaruar se reciprociteti me Serbinë nuk është nocion i ri as për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është në pushtet, e as për marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët, njofton Insajderi.
Kryeziu në një konference për medie ka theksuar se aktualisht nuk ka datë të caktuar për marrjen e një vendimi të tillë, “por është çështje që vendoset mbi parime”.
Sipas tij, askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar nga vendosja e reciprocitetit, duke përfshirë edhe Serbinë.
“Reciprociteti nuk është nocion i ri as për Vetëvendosjen e as në marrëdhëniet ndërkombëtare, është parim themelor mes shteteve sepse edhe buron nga barazia por edhe sovraniteti i shteteve. Ne jemi të interesuar për marrëdhënie dhe trajtim të barabartë mes shteteve”, është shprehur Kryeziu para mediave.
Ndërsa, lidhur me emërimin e shefit të ri të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ai është shprehur se një gjë e tillë do të ndodh shumë shpejt.
“Jemi të vetëdijshëm për seriozitetin dhe ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe po punojmë që kjo të përmbyllet sa më parë. Besoj që shumë shpejt do të emërohet drejtori i ri i AKI-së”./Insajderi.com