SHBA-të duan përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë

SHBA-të duan përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë

“SHBA-të duan të ritheksojnë qëndrimin e vet se UNMIK-u duhet të ecë drejt përmbylljes. Ne ftojmë që t’i jepet fund UNMIK-ut”.

Kështu tha të martën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Mills, gjatë mbledhjes për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, raporton Insajderi.

Ai përgëzoi Kosovën për organizimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, duke shtuar se presin të bashkëpunojnë me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për një serë prioritetesh të përbashkëta.

“SHBA-të presin që të punojnë me Kurtin e Osmanin në shumë prioritete të përbashkëta, duke filluar nga luftimi i korrupsionit, reformat dhe normalizimi i marrëdhënieve me Sebrinë”, tha ai.

Përmendi marrëveshjen e Uashingtonit si dhe përgëzoi Kosovën e Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kishte filluar me tension – pasi Rusia kërkonte nga Gërvalla që ta largonte flamurin e Kosovës nga mbrapa-skena.

Mbledhja ishte suspenduar për një kohë, ndërsa Rusia pranoi që ajo të vazhdonte.

Kështu, krye-diplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Serbia ia ka vrarë babain, Jusuf Gërvallën.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, deklaroi ajo. /Insajderi.com