Kontaktet intensive të punës me zyrtarë të administratës amerikane për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Serbisë dhe SHBA-së vazhduan gjatë kësaj jave në Washington.
Kështu ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës Ambasada e Serbisë në Washington, raporton Tanjug, transmeton Insajderi.
Ambasadori Marko Gjuriq i ka vlerësuar bisedimet me përfaqësues të lartë të pushtetit ekzekutiv në administratën amerikane, si dhe zyrtarë të tjerë të ngarkuar me vendin dhe rajonin, si jashtëzakonisht të dobishme dhe kuptimplota, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
“Pikëpamjet tona dëgjohen dhe respektohen si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat, falë qasjes dhe rrugës së hapur dhe konstruktive që u hap nga udhëheqja jonë e shtetit, e udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq. Pozicioni i Serbisë është forcuar dukshëm në sytë e amerikanëve dhe ajo do të vazhdojë të forcohet në periudhën e ardhshme”, shtoi ai./Insajderi.com