Institutit demokratik i Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, njëherit edhe procesit të dialogut me Serbinë, që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështje.
Sipas tyre, vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi.
Përmes një komunikate për medie, nga ky institut kanë thënë se nga deklaratat publike të lehtësuesve të dialogut Kosovë-Serbi, ka sinjale të qarta se një takim mes palëve edhe mund të ftohet së shpejti.
“KDI kërkon nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces. Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkaloj rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithë përfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në njoftim.
KDI-ja ka ftuar bartësit e këtij procesi, që krahas hartimit të Strategjisë dhe Platformës për Dialogun, të ndërmarrin hapa konkret drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun, me qëllim për të forcuar pozicionin e Republikës së Kosovës në këtë proces.
“Në këtë drejtim, Kryeministri dhe Presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese duhet të iniciojnë dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa, subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet në tejkalimin e pengesave në arritjen e pajtueshmërisë”, thuhet tutje në njoftimin për medie./Insajderi.com