Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, njoftoi se partia e tij ka dërguar tri kërkesa në Kuvend për debate parlamentare lidhur me gjendjen pandemike në vend, të cilën e quajti alarmante, përcjell Insajderi.
Tahiti tha se këto kërkesa kanë të bëjnë me ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë.
“Debati i parë ka të bëjë me dështimin e Qeverisë Kurti për sigurimin e vaksinës, i cili gjatë programit të tij kishte premtuar vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve”, theksoi ai gjatë një konference për medie.
Tahiri shtoi se gjendja e rëndë e spitaleve në të gjithë Kosovën është shkak i mospranimit të vaksinimit të mësimdhënësve në Shqipëri.
“Çështja e dytë është arsimi. Janë 345 mijë nxënës në arsimin parauniversitar dhe 23 mijë mësimdhënës që kanë mbetur pa plan konkret dhe mbështetje konkrete”, potencoi ai.
Ndërsa, çështja e tretë, Tahiri deklaroi se ka të bëjë me situatën ekonomike.
“Ende nuk kemi një qartësi në interpretim të pakos për rimëkëmbje ekonomike. Ende nuk e dimë se çka do të ndodhë me ata 60 mijë punëtorë të Republikës së Kosovës që tashmë kanë shkëputur kontratat e punës nga punëdhënësit e tyre në sektorin privat”, pohoi shefi i deputetëve të PDK-së./Insajderi.com