Gjykata Themelore në Gjilan, ka dënuar me paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurin me inicialet P.C., për shkak se i janë konfiskuar në shtëpin e tij armë pa leje dhe substanca narkotike, njofton Insajderi.
Sipas njoftimit për media, “ I pandehuri, me datë 14.04.2021, rreth orës 16:00 minuta në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 1.65 mm dhe tetë qese substancë narkotike e llojit “kokainë”, në peshë prej 2.9 gram”.
“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale ‘mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ dhe ‘posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Gjithashtu, Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale, “Meqenëse i pandehuri është një recidivist i veprave penale, po të gjendet në liri mund të kryejë vepra tjera penale”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com