Totaj, PDK: Prokuroria të hetojë edhe Haskukën pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro

Totaj, PDK: Prokuroria të hetojë edhe Haskukën pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, njëherësh nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj, ka kërkuar nga prokuroria të hetojë kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka lidhur me një tender 1.4 milion euro të kësaj komune nën dyshimet e aplikimit me dokumente të rrejshme, ku u arrestuan disa persona pas publikimit të një raporti të organizatës joqeveritare “AVONET”, transmeton Insajderi.

Ai gjatë një konference për medie, është shprehur se parulla me “Mytën do ta mbysim korrupsionin” është shndërruar në parullën “Myta është mbytur në korrupsion”.

“Ky skandal i madh nuk duhet të kalojë pa përgjejgjësi politike. Ne jemi të bindur se në këtë skandal korruptiv është i përfshirë edhe vetë Haskuka dhe personat e afërt me të, prandaj apelojmë tek organet e shtetit që të zgjerojnë pistën e hetimeve duke përfshirë kryetarin Haskuka, drejtorin Osman Krasniqi, ish-drejtorin Levent Kasemi dhe shefin e prokurorimit”, ka thënë ai.

Totaj ka shtuar se “pushteti i korruptuar i udhëhequr nga Mytaher Haskuka dhe motivuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po synon ta frikësojë opozitën, ta indimidojë, t’ia mbyllë gojën dhe t’ia pamundësoj veprimtarinë e saj politike në shërbim dhe interes të qytetarëve të Prizrenit, duke i larguar partitë opozitare nga selitë e tyre me qëllim që ata të heshtin karshi abuzimeve e aferave korruptive në Komunën e Prizrenit”./Insajderi.com