Vuçiq thotë se pret vazhdimin e dialogut me Kosovën në maj ose qershor

Vuçiq thotë se pret vazhdimin e dialogut me Kosovën në maj ose qershor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të shtunën se do të shkojë në Bruksel dy herë dhe se pret bisedime konstruktive, si dhe vazhdimin e dialogut me Kosovën në maj ose qershor.

I pyetur nga gazetarët nëse pret presione të reja për ta njohur Kosovën dhe se me kë do të takohet në Bruksel, Vuçiq është shprehur se do të bisedojë me përfaqësuesit evropianë – Joseph Borell, Ursula Von der Layen, Oliver Varei dhe Miroslav Lajçak, shkruan Tanjug, transmeton Insajderi.

Vuçiq ka folur edhe rreth dokumentit jo-zyrtar të publikuar nga një medium slloven, ku flitet për ndryshimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor; copëtimin e Bosnjë e Hercegovinës dhe bashkimin Kosovë-Shqipëri.

“Unë jam i zhgënjyer me çmobilizimin e plotë intelektual të publikut tonë, elitës dhe pseudo-elitës, ku ata ofrojnë vlerësime për diçka që askush nuk e ka parë në asnjë mënyrë dhe janë apriori pro ose kundër diçkaje. Unë iu përkas atyre që do t’i hidhen mbi kokë dikujt, pa parë diçka”, ka thënë ndër të tjera presidenti serb./Insajderi.com