103 të moshuar me sëmundje kronike janë vaksinuar vetëm deri në mesditën e së dielës në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, njofton Insajderi.
Koordinatori i kësaj qendre, Niman Bardhi, tha se për tri ditë janë vaksinuar 827 persona me sëmundje kronike, ndërsa gjithsej janë vaksinuar 1180 të moshuar.
“Sot është dita e tretë sa i përket personave me sëmundje kronike të grup-moshës 75 deri në 79 vjeç dhe deri në këto momente që po flasim kemi të vaksinuar 103 persona”, ka thënë ai.
Bardhi shtoi se për dallim nga dy ditët e mëparshme kanë pasur numër më të vogël të njerëzve të interesuar për t’u vaksinuar me vaksinën anti-COVID.
“Që data 8 kur kemi filluar me grup-moshën mbi 85, 80 dhe 75 kemi 2035 persona të vaksinuar, nëse i referohemi vetëm pjesës së sëmurave kronikë kemi 827 persona të vaksinuar, nëse i referohemi të moshuar deri më tani kemi pasur 1180, për këtë ngelet të shohim se si e kemi situatën me vaksina”, tha Nimani për EO.
I moshuari Muharrem Gashi, tha se e ka kaluar virusin dhe nuk ka asnjë dhimbje pas marrjes së vaksinës.
“E kam pasur Coronavirusin dhe e kam kaluar dhe më ka munduar shumë. Duhet me marr se mos po e mbarti te nipat e mbesat se sa për veti s’e kisha marrë”, tha ai.
Ndërsa, qytetari Smajl Isufi, theksoi se edhe pse ai ka kaluar virusin është e domosdoshme që të gjithë të vaksinohen.
“Tani po ndihem shumë mirë. Dhe është e domosdoshme ta marrë secili. Dhe ma shumë po vdesin ata që nuk janë të vaksinuar se ata që janë”, tha ai. /Insajderi.com