BE kërkon nga Qeveria rishikimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

BE kërkon nga Qeveria rishikimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë hartimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme pa aktgjykim dënues, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në konfiskimin e pasurisë së konsideruar të paligjshme nëpërmjet procedurës penale dhe duhet të kenë shumë kujdes në konfiskimin e pasurisë pa aktgjykim dënues.

Ky qëndrim i Bashkimit Evropian vjen një vit pasi që Unioni kishte gjetur shumë vërejtje në hartimin e koncept-dokumentit.

Stano ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë parimet e përfshira në Kushtetutë dhe të drejtat themelore të individëve.

Ndërsa, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka konsideruar të papranushem sistemi që po planifikon ta aplikojë Qeveria e Kurtit për konfiskimin e pasurisë që do të vlerësohet se është fituar në mënyrë të paligjshme.

Hulumtuesi i lartë ligjor në këtë institut, Gzim Shala, ka thënë se Kosova as nuk është e gatshme për ta aplikuar një sistem të tillë konfiskimi.

“Sa i përket sistemit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, apo konfiskimit në procedurë civile pa kaluar fare në procedurë penale, edhe paraprakisht janë bërë studime dhe analiza të shumta. Këto analiza kanë theksuar faktin se Republika e Kosovës nuk është e gatshme për të aplikuar një sistem të tillë”, ka thënë Shala për Express.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për konfiskimin e pasurisë, i cili ka ngjallur shume diskutime. /Insajderi.com