Musliu e mirëpret ligjin për konfiskim të pasurisë: Le të fillojnë nga unë

Musliu e mirëpret ligjin për konfiskim të pasurisë: Le të fillojnë nga unë

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka duartrokitur vendimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për të miratuar koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili i hap rrugën hartimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ajo në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se Qeveria mund të fillojë prej rishikimit të pasurisë së saj, pasi ka shtuar se nuk ka asgjë kundër.

“Le të fillojnë nga unë, le të rishikojnë pasurinë time. Unë nuk kam asnjë pengesë prej kësaj, por mënyra se si i qasen kësaj, në mënyrë kërcënuese e propaganduese, kjo tregon se ata janë të pazotë. Një Ligj i tillë është i domosdoshëm. Kjo iniciativë është marrë në kohën kur ministër ka qenë Abelard Tahiri. Fati e deshi që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe ka ngecur”, ka pohuar ajo.

Sipas saj, Qeveria Kurti po bënë shumë zhurmë për projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme për të mbuluar skandalet e saj./Insajderi.com