Maqedoni e Veriut: Do të paditen deputetët që shkuan në Kuvend me COVID-19

Maqedoni e Veriut: Do të paditen deputetët që shkuan në Kuvend me COVID-19

Grupi parlamentar i partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, ka paralajmëruar se nesër (e martë) do të ngrejë padi penale për pjesëmarrjen në seancën e djeshme parlamentare të dy deputetëve të shumicës LSDM-së, të cilët janë pozitivë me COVID-19, njofton Insajderi.

Paraqitja e deputetëve me skafander, sipas koordinatorit të opozitës maqedonase, Nikolla Micevski ishte një shembull i keq për të gjithë qytetarët dhe tha se nuk do të lejojnë që politikanët të jenë mbi Kushtetutën dhe mbi ligjet.

“Për t’u realizuar dëshirat personale, u dha shembull se politikanët janë mbi ligjet dhe me këtë rast u vendosën në rrezik të gjithë të punësuarit në Kuvend, përfaqësuesit e mediave si dhe deputetët. Ajo që është notore është se dje u shkelën nenet 205 dhe 206 të Kodit penal. Pasi askush nuk mund të jetë mbi ligjet, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit dhe deputetët, përgjegjësi patjetër të ketë. Sistem në të cilin funksionon sundimi i ligjit me asnjë mënyrë nuk është arsyetuar. Kjo praktikë e punës së koalicionit kundër drejtësisë, i përbërë nga LSDM dhe BDI do të ndërpritet”, tha Micevski.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përmes një konference për media ka arsyetuar gjithë situatën e krijuar në dy seancat e djeshme ku u votuan edhe pakoja e pestë e masave ekonomike.

Ai tha se garanca që i kishin dhënë opozita shqiptare se do të marrin pjesë në seancë nuk i ka mjaftuar pasi ai nuk bazohet në pres konferenca, por në dokumente zyrtare. Ndërkaq prezenca e dy deputetëve të infektuar me virusin korona ai tha se është bërë duke respektuar protokollin e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse të RMV-së.

“Sa mbaruan zgjedhjet më 15 korrik, nga 24 korriku deri më 3 gusht u shtriva në spital nga pandemia. Derisa isha në spital Grupi i punës përgatiti protokollin. Komisioni për Sëmundje infektive e verifikoj protokollin final për punën e Kuvendit. Ai protokoll iu shpërnda koordinatorëve. Arben Ziberi ishte deputeti i parë që votoi në Kuvend përmes atij protokolli. Me këtë protokoll i mundësohet deputetëve të marrin pjesë në seanca të kuvendit në hapësira të posaçme. Më 23 nëntor u prezantua protokolli në koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare.  Koordinatoret e opozitës nuk morën pjesë në këtë koordinim por i njoftova në mënyrë plotësuese që ka ndryshime” tha Xhaferi.

Dje në Kuvendin e RMV-së me 115 vota për dhe asnjë kundër, u miratuan ligjet nga pakoja e pestë ekonomike. Paraprakisht u miratuan edhe pikat e seancës tjetër për të cilën më herët kishte kundërshtuar opozita. Por, një ditë para mbajtjes së seancës, opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa njoftoi se do të sigurojë kuorumin për të dy seancat. Megjithatë kjo nuk i mjaftoi shumicës dhe kryeparlamentarit Xhaferi, të cilët lejuan që në seancë të marrin pjesë edhe dy deputetët e infektuar që kishin veshur skafanderë./Insajderi.com