SBASHK-u kërkon të zbatohet vendimi i qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna

SBASHK-u kërkon të zbatohet vendimi i qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkuar që të zbatohet vendimi i qeverisë në bazë të së cilit të gjitha punëtoret gra shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia, njofton Insajderi.

Siç thonë nga kjo sindikatë, Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk janë duke e zbatuar këtë vendim, që ka hyrë në fuqi nga dje, prandaj ka kërkuar nga institucionet që kontrollojnë zbatimin e këtyre masave.

“Vendimi i Qeverisë është në fuqi që nga dita e djeshme, (19 prill 2021), ndërsa  Drejtoritë Komunale të Arsimit si dhe punëdhënësit tjerë nuk janë duke e zbatuar pikën 7 të këtij vendimi, prandaj kërkon nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të këtyre masave të qeverisë që të angazhohen dhe inspektojnë lidhur me zbatimin e kësaj mase në institucionet arsimore dhe të obligojnë institucionet që punëtoret shtatzëna të lirohen menjëherë nga procesi mësimor, që është duke u zhvilluar me prezencë fizike në institucionet arsimore, aq më tepër kur sistemi arsimor është vlerësuar si nga më të rrezikuarit nga prekja me COVID-19 dhe të marrin masa adekuate e konform ligjit për ata që nuk i zbatojnë këto masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë”, thonë nga SBASHK. /Insajderi.com