“Nuk është e arsyeshme që deputetët e Listës Guxo të kthehen në LDK”

“Nuk është e arsyeshme që deputetët e Listës Guxo të kthehen në LDK”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, nuk e sheh të arsyeshme kthimin e deputetëve të “Listës Guxo” në partinë pjesë e së cilës ishin deri pak muaj më parë.

“Lista Guxo”, arriti që t’i fitonte shtatë mandate në zgjedhjet e 14 shkurtit nga 58 sa i mori në tërësi lista e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, Vjosa Osmani u shpall presidente, Donika Gërvalla kryediplomate, ndërsa Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kësisoj, “Lista Guxo”, mbeti me katër deputetë në Kuvend, të pamjaftueshme për të formuar grup parlamentar.

“Ata kanë dalë me një listë, kanë garu me një listë, qytetarët i kanë votu dhe tash e kanë mundësinë me tregu realitetin dhe me punu për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës edhe pse fillimi është jashtëzakonisht i keq”, ka thënë Bunjaku për FrontOnline.

12 deputetë nga 15 sa ka në total Lidhja Demokratike e Kosovës, morën pjesë në votimin e 4 Prillit, ku Vjosa Osmani u shpall presidente.

Paraprakisht, Osmani është takuar disa herë me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun. /Insajderi.com