Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me grafitet fyese të vizatuara në shtëpinë e ish-deputetes së këtij subjekti, Adelina Grainca.
Derisa mohoi akuzat për këtë sulm zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se partia që përfaqëson nuk e ulë veten në këtë nivel, duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike.
Ai madje në emër të PDK-së ka ftuar policinë që të hetojnë rastin, duke pretenduar se në këtë sulm ka dorë Lëvizja Vetëvendosje.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i pa pranueshëm për ne. Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç̧ duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!” ka thënë Bytyçi për Gazetën Online Insajderi.
Për muret e shënuara me gjuhë denigruese ndaj deputetes që tashmë ka kaluar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar edhe Ganimete Musliu e Partisë Demokratike, e cila tha se “grafitet nuk i përkasin historisë së PDK-së”.
Një ping-pong akuzash për rastin po ndodhin midis partisë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe asaj më të madhe opozitare në vend.
Ndonëse PDK akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se qëndron pas këtij rasti, Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se “nëse ky akt i shëmtuar nuk denohet nga grupimi politik pjesë e të cilit ishte Adelina deri para zgjedhjes së Presidentes, atëherë aty qëndron vetë përgjigja e largimit të saj nga ata, në mënyrën se si një parti e konsideron dhe trajton një vajzë të re me mendim ndryshe”.
Për ngjarjen e ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së 20 prillit, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zyrtari i kësaj partie, Bajram Gecaj, thotë se shkruarja e grafiteve në pronë private është veprim huliganesk, por nuk la pa ironizuar me situatën e krijuar në Kuvend derisa u mbajt seanca e dytë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Miqtë thonë, “what goes around, comes around”, e ne themi, “çfarë të mbjellësh, e korrë”.
Ndërrimi i partive si këmishën e trupit është veprim i padinjitetshëm … shkruarja e grafiteve në pronë private veprim huliganesk … derisa krim është hedhja e molotovëve në veturat dhe shtëpitë private”, ka thënë ai.
Ndryshe, mbrëmë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, persona të panjohur kanë shkruar grafite me mesazhe fyese për familjen e deputetes.
“BIJAT I SHESIM, VOTAT I QESIM” kjo është përmbajtja e disa grafiteve të shkruara në murin rrethues të oborrit të familjes së deputetes Grainca nga Ferizaj.
Adelina Grainca në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte zgjedhur deputete në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, e njëjta ka marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 4 prill ku ka votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente dhe njëkohësisht kishte bërë të ditur se i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. /Insajderi.com