Ministri i Jashtëm gjerman nesër viziton Kosovën

Ministri i Jashtëm gjerman nesër viziton Kosovën

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, nesër, e enjte, do ta vizitojë Kosovën, njofton Insajderi.

Ai në këtë vizitë zyrtare do të takohet me Presidenten, Vjosa Osmani, Kryeministrin, Albin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Temat e takimit do të jenë “çështjet e marrëdhënieve bilaterale, përafrimi me BE-në, si dhe dialogu për normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, ministri gjerman për Evropë, Michael Roth ka thënë se Gjermania do të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo vizitë e Haas vjen vetëm pak ditë para se Kurti të udhëtojë për në Bruksel.

Për Gazetën Online Insajderi, Valbona Mehmeti, shefe e zyrës për media në Qeverinë e Kosovës, ka treguar se vizita e Kurtit në kryeqytetin belg do të bëhet kah mesi i javës së ardhshme.

“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi I javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian”.

Mehmeti ka treguar se “nuk do të ketë takim mes kryeministrit z.Kurti dhe z.Vuçiq”.