Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, kanë zhvilluar një konferencë për media pas takimit të tyre të mbajtur sot në Prishtinë, njofton Insajderi.
Gjatë këtij adresimi, Gërvalla dhe Osmani bënë të ditura çështjet për të cilat kanë diskutuar në këtë takim të parë të tyre zyrtar, me ardhjen e Qeverisë Kurti në pushtet.
Osmani tha se një ndër çështjet e diskutuara është edhe dialogu me Serbinë, për të cilin Maqedonia e Veriut vlerëson se qëllimi final i këtij dialogu është njohja reciproke midis të dyja vendeve.
Ai tutje tha se kanë biseduar edhe për integrimin e plotë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal si fazëtë rëndësishme tranzitore në përgatitje të rajonit për integrim, e madje edhe për bashkëpunim tregtar midis dy vendeve.
“Sot biseduam për shumë çështje konkrete në kuadër të bashkëpunimit bilateral. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bashkëpunim të jashtëzakonshëm tregtar”.
“Biseduam natyrisht edhe për çështjet me karakter ndërkombëtar. Ambicia jonë është integrimi i plotë i gjashtë vendeve në Bashkimin Evropian. Ky integrim është progres institucional dhe ekonomik. Biseduam edhe për bashëkpunimin rajonal që mendojmë se janë të rëndësishme si faza tranzitore në përgatitje të rajonit për integrim. RMV mbështet dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerëson se qëllimi final i këtij dialogu do të jetë njohja e ndërsjellë e këtyre dy shteteve”, ka thënë ai derisa falënderoi ministren Gërvalla për pritjen.
Të pyetur për dokumentin ‘Non Paper’ të Sllovenisë sa i përket riorganizimit të Ballkanit Perëndimor, Osmani dhe Gërvalla e cilësuan si të rrezikshme një ide të tillë, ndonëse thanë se nuk duhet rënë në kurth sa i përket autorsisë së këtij dokumenti, meqë besojnë se qeveria e Sllovenisë nuk do ta kishte publikuar një dokument të tillë asnjëherë.
“Unë kamë një qëndrim që fillimisht ne nuk duhet të bijmë në kurthin e lidhjes së autorsisë pasi që Sllovenia është një mike. Alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s në rajon dhe integrimi në BE”m ka thënë Osmani.
“Vetëm përmendja e këtyre letrave është tepër e rrezikshme për rajonin. Për ne është e qartë, nuk është asnjë opsion, pavarësisht ku janë autorët, e shohim të rrezikshëm dhe kërkojmë që të gjitha palët të kenë kujdes sepse ide të tilla mund të shtyjnë në konflikte”, ka thënë Gërvalla. /Insajderi.com