Ish-ministrja Haradinaj-Stublla i reagon Gërvallës

Ish-ministrja Haradinaj-Stublla i reagon Gërvallës

Në mëngjesin e së shtunës, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka dorëzuar çelësat e 12 banesave në Mitrovicën e Veriut, donacion nga Serbia.

Petkoviq ka thënë se ndërtimi i banesave në Mitrovicën e Veriut është indikatori më i mirë se sa shumë Serbia investon për serbët në Kosovë.

Ndaj kësaj ka reaguar ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Stublla ka hedhur akuza ndaj ministres aktuale Donika Gërvalla-Schwarz, pasi kjo e fundit i dha leje Petkoviqit për vizitën në veri.

Sipas saj, ministrja Gërvalla-Schëarz i ka dhënë leje për tri ditë Petkoviqit në kohën kur Qeveria e Serbisë ndan para për strukturat paralele serbe në Kosovë.

“Qëndrueshmëria politike me të drejtën e Kosovës, si në opozitë kur kritika është e lehtë, ashtu edhe në pushtet kur vendimi është i vështirë e presioni i madh – është testi i parë i pjekurisë qeverisëse”.

“Dhënia e lejes për vizitë në Mitrovicë e në Deçan, me shpresë për respektim të marrëveshjeve të Brukselit – dikujt që sa herë ka ardhë ka shkelur ato, ka shpërndarë gënjeshtra historike e politike kundër nesh, ka mohuar krimet e Millosheviqit, ka mohuar ekzistencën e Republikës së Kosovës, ka keqpërdorë për qëllime politike Manastirin e Deçanit dhe vazhdon të mbajë ilegalisht në burg në Serbi dy qytetarë të Kosovës, është njëjtë sikur t’a ushqesh ujkun me shpresë se nuk do të të kafshojë”, tha ajo.

“Për më keq, leja për vizitë i ipet Petkoviqit vetëm tri ditë pasi që qeveria e Serbisë ndan 4 miliardë dinarë për dhënie të ndihmave monetare, ndërtimin e shtëpive, spitaleve, çerdheve, e shkollave në Kosovë në mirëmbajtjen e strukturave paralele të Serbisë, 13 prej të cilave i përuroi edhe sot për qytetarët serb siç i quan ai ‘të rrezikuar’ – dhe si rëndom edhe sot shkeli frymën dhe zotimet e marrëveshjeve të Brukselit”, u shpreh Stublla./Insajderi.com