Reagon zyrtari i LDK-së që “bisedoi” me Rugovën, sqaron çfarë është metafora

Reagon zyrtari i LDK-së që “bisedoi” me Rugovën, sqaron çfarë është metafora

Kryetari i Degës së Tretë të LDK-së, Hazir Borovci, i cili është duke u përfolur në opionin për shkak të një fjalimi të tij ku tha se ka biseduar me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, ka thënë se fjalimi i tij është banalizuar.

Sipas tij, biseda e tij me presidentin e ndjerë është dhënë në formë metaforike dhe për këtë arsye ai ka dhënë një përkufizim të këtij nocioni.

“Për (b)analizuesit e fjalimit tim metaforik “Bisedë me Presidentin Rugova”, një përkufizim i këtij nocioni: “Metafora është një figurë e fjalimit e cila përshkruan një objekt ose veprim në një mënyrë e cila nuk është fjalë për fjalë e vërtetë, por ndihmon për të shpjeguar diçka ose për të bërë një krahasim”, ka thënë ai.

“Përkundër mesazhit metaforik, përmbajtja e porosisë së fjalimit tim gjendet edhe tek fjalimet të cilat, sa ishte gjallë, i mbante Presidenti Historik Ibrahim Rugova. Vizioni i tij për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe sot, është dhe duhet të jetë një filozofi politike determinuese”, ka shkruar ai në Facebook.

Borovci në  tubimin e 27 vjetorit e themelimit të Degës së Tretë të LDK-së që u mbajt dy ditë më parë në një fjalë rasti para të pranishmëve ka bërë të ditur se e ka vizituar varrin e presidentit të ndjerë Rugova dhe se ka biseduar me të.

“Të nderuar të pranishëm në mesditë i bëmë një vizitë Presidenti historik Rugova. Bashkërisht me një grup veprimtarësh të Degës së Tretë. E informuam Presidentin për 27 vjetorin për ditëlindjen e degës së tretë, degës së Presidentit”, ka thënë ai.

“Presidenti na pyeti se si janë punët, si po shkojnë punët. E informuam për disa çështje, me të cilat nuk dua të ju ngarkojë tash juve”, ka thënë Borovci