Cakolli: I papranueshëm votimi i kryeministrit Kurti në zgjedhjet në Shqipëri

Cakolli: I papranueshëm votimi i kryeministrit Kurti në zgjedhjet në Shqipëri

Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës, ka thënë se është e papranueshme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare në Shqipëri, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Cakolli tha se një votimi i një pushtetari ekzekutiv në një vend tjetër, nuk është aspak në rregull.

“Kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, voton në zgjedhjet e një vendi tjetër, është deri diku e pranueshme. Por, kur qytetari është dikush që mbart pozitë politike, e madje pushtet ekzekutiv, kjo s’është aspak në rregull. E kur qytetari rastis të jetë kryeministër, që përfaqëson edhe platformë politike për zgjedhjet në vendin tjetër, kjo e bën situatën të papranueshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar kutive të votimit në Shqipëri, në ditën e zgjedhjeve parlamentare.

Pas votimit, ai është prononcuar shkurtazi para gazetarëve, ku i ka ftuar të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të dalin dhe të votojnë.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj të gjithë qytetarët që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave. Dita është e bukur, e diel me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj sa më shumë ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri, ashtu sikur unë që kam pasaportën e Shqipërisë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Kurti ka votuar në kopshtin numër 31 në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut, derisa ishte i shoqëruar nga kandidati i Vetëvendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi. /Insajderi.com