Vuçiq në Bruksel, takohet me Lajçakun

Vuçiq në Bruksel, takohet me Lajçakun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar sot takimin e parë të vizitës së tij në Bruksel me të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton Insajderi.

Këtë takim e bëri të ditur vetë Vuçiq me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram, duke mos dhënë detaje lidhur me këtë takim të zhvilluar.

Derisa nesër Vuçiq do të pritet nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në selinë e KE-së, Vuçiq do të takohet edhe me Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Gjithashtu, nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, do të organizojë një drekë pune në Bruksel me rastin e vizitës së Vuçiq.

Siç raportohet në mediat serbe, agjenda e bisedimeve në Bruksel do të përfshijë zbatimin e një metodologjie të re për të shpejtuar procesin e integrimit të Serbisë, dialogun me Kosovën, projektet e zhvillimit në Serbi të parashikuara nga Plani Evropian i Investimeve Ekonomike, por gjithashtu edhe luftën kundër pandemisë dhe strategjitë e vaksinimit në rajon. /Insajderi.com