Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se përgjysmimi i shtesave për punëtorët shëndetësorë ka ndodhur në mungesë të kapacitetit buxhetore, përcjell Insajderi.
Vitia gjatë seancës parlamentare është shprehur se me të marrë njoftimin që shtesat e profesionistëve shëndetësorë përfundojnë në muajin mars, ai menjëherë ka takuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për të diskutuar rreth vazhdimit të tyre.
“Ne kemi menduar t’i ndihmojmë me të gjitha kapacitetet këto kategori. Më 23 mars të këtij viti, unë kam marrë njoftimin se shtesat për profesionistët shëndetësorë përfundojnë në muajin mars. Menjëherë kam kërkuar takim me ministrin e Financave që të vazhdojnë këto shtesa, që të mos ndalen në asnjë mënyrë. Ministria e Financave në bazë të kapaciteteve buxhetore ka ardhur me propozim i cili është miratuar”, ka deklaruar ai.
Vitia ka deklaruar se në muajin maj do të kryhen pagesat edhe për inspektorët, të cilët do të marrin shtesat për dy muaj.
Ministri i Shëndetësisë është kritikuar për përgjysmimin e shtesave për punëtorët shëndetësorë. Nga 300 euro, me vendimin e marrë nga Qeveria Kurti, shtesat për punëtorët shëndetësorë u zbritën në 150 euro./Insajderi.com