Borrell: Më 11 maj parashihet rundi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi

Borrell: Më 11 maj parashihet rundi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar që do të ketë një rundi të radhës të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë më 11 maj, njofton Insajderi.

Borrell ka thënë se nuk ka asgjë të re për të ofruar, por sipas tij, rruga evropiane duhet të jetë stimulim i mjaftueshëm për palët për të arritur drejt një sukses në dialog.

“Kemi folur për dialogun. Kam thënë dhe e kam vlerësuar përkushtimin e presidentit Vuçiq ndaj dialogut dhe e inkurajoj të vazhdojë me këtë qasje drejt arritjes së një marrëveshje gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për palët. Duhet të vazhdojë procesi, përkundër vështirësive. Do të kemi një takim me kryeministrin e ri të Kosovës, nuk është në fakt i ri, pasi ishte kryeministër kur filluam. Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog. Pasi është mënyra e vetme për të arritur drejt një zgjidhje dhe marrëveshje gjithpërfshirëse e ligjërisht të obligueshme. Vetëm rruga evropiane duhet të jetë stimulim i fuqishëm për të pasur sukses ky dialog”, ka thënë Borrell, duke shtuar se synimi i tij është që gjithë Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i pyetur për takimin në Bruksel, tha se ishte më i miri ndonjëherë për të. /Insajderi.com