Protokolli i Shtetit i Malit të Zi, ka vendosur të rrisë sigurimin fizik për zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq, pasi që ka informacione se “grupi kriminal i Kavaçit, një prej dy grupeve më të mëdha në këtë vend, ka planifikuar vrasjen e tij”, transmeton Insajderi.
Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi pretendon se, duke e hetuar vrasjen e Zoran Ashaninit, e ndodhur dje në Mojkovac, ka ardhur deri te këto informacione, raporton e përditshmja malazeze ‘Vijesti’.
Këto gjetje të Ministrisë së Brendshme vijnë javë pasi policia dhe prokuroria ndërmorën veprime kundër anëtarëve të këtij klani.
“Informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj burgosjes së liderit të grupit Slobodan Kashqelan, duke rrezikuar jetën e zv.kryeministrit të Malit të Zi, Z. Dritan Abazoviq”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.
Lideri i i “Kavaq” dhe disa anëtarë janë arrestuar më 21 prill. /Insajderi.com