Kurti refuzon të flasë për takimin në Bruksel: Për të zhdukurit do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë

Kurti refuzon të flasë për takimin në Bruksel: Për të zhdukurit do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi të flasë para mediave rreth takimit që do të zhvillojë në Bruksel, njofton Insajderi.

Pas homazheve të bëra te memoriali i të pagjeturve, me rastin e 27 prillit, Ditës Kombëtare të të Zhdukurve, shefi i ekzekutivit u shpreh se bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, janë zotuar se do të bëjnë krejt çfarë munden e çfarë dinë për zbardhjen e fatit të zhdukurve.

“Gjenocidi është e vërteta e Serbisë. Kjo është një plagë që nuk e mbyll kalimi kohës. Si Kryeministër i Republikës, bashkë me Presidenten, e Kryetarin e Kuvendit jemi zotuar se do të bëjmë çka mundemi e dimë, por natyrisht që do të ndihmojmë për sjelljen e drejtësisë dhe sjelljen e së vërtetës. E vërteta është përpjekur të varroset në Batajnicë, fusha, male, liqene, por ju e dini se ajo u rishfaq”, deklaroi Kurti.

Mes tjerash, ai theksoi se në raport me Serbinë duhet qëndruar të bashkuar.

“Në raport me Serbinë, e për hir të së ardhmes tonë, ne duhet të bëhemi bashkë dhe ta kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë”./Insajderi.com