Ambasada amerikane: Kosovës i duhet vetting sistematik

Ambasada amerikane: Kosovës i duhet vetting sistematik

Publiku në Kosovë dëshiron që ta shohë jetësimin e procesit të vetting-ut në drejtësi, thotë këshilltarja e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Lana Morton-Owens. Në këtë intervistë për emisionin për sundim të ligjit ‘Iustitia’, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimi për Drejtësi, Morton-Owens thotë se si procesi i vetting-ut, po ashtu edhe nisma për Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duhet të hartohen me kujdes.

Sa i përket vetting-ut, ajo thotë se ky proces duhet të bëhet përmes një qasjeje sistematike dhe në të gjitha institucionet, jo vetëm në ato të drejtësi. Sipas saj, propozimet aktuale për këtë, nuk ofrojnë detaje se si Kosova mëton që ta bëjë procesin e vetting-ut.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Sipas Morton-Owens, propozimi që konfiskimi i pasurisë të jetë përmes një procesi civil është gjë e mirë, por ajo tërheq vërejtjen se kjo gjë duhet të bëhet me shumë kujdes.

Duke folur për ligjet që duhet të amendamentohen, ajo përmend Ligjin për përgjegjësinë disiplinore, ku thotë se për shkak të një gabimi, ky ligj nuk po lejon që të suspendohen gjyqtarët dhe prokurorët që bëjnë shkelje të rënda disiplinore./Insajderi.com