Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës i është drejtuar me një letër publike ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pasi sipas tyre, ky i fundit nuk u ka kthyer përgjigje për dy shkresat zyrtare për takim, njofton Insajderi.
Përmes kësaj letreje, nga SBASHK-u i kanë kërkuar ministrit Murati që në pagat për muajin prill të ekzekutohen edhe shtesat për muajin mars, si dhe të llogaritet rritja nga përvoja vjetore.
“I nderuari ministër, z. Murati, ashtu siç iu kemi njoftuar edhe në shkresën e dërguar më 1 prill 2021 dhe 14 prill 2021, shtesat për punëtorët arsimor sipas vendimit të Qeverisë nr. 08/65 i datës 18.02.2021 – pika 8 e këtij vendimi, i cili obligon Ministrinë e Financave, Punës e Transfereve (MFPT) për t’i ekzekutuar, por nuk janë realizuar për muajin mars e njëkohësisht kemi kërkuar që me pagat e muajit prill të ekzekutohen shtesat edhe për muajin mars, por nuk kemi marrë përgjigje e as përgjigje në dy kërkesat tona për takim me ju. I nderuar ministër Murati, gjithashtu iu rikujtojmë se prilli është muaji kur bëhet ngritja e përvojës së punës për një vit dhe shpresojmë që në pagat e muajit prill kjo ngritje do të pasqyrohet në listat e pagave”, thuhet në letrën e SBASHK-ut.
Nga kjo sindikatë tutje kanë kërkuar që ministri të gjejë kohë për t’i ftuar në takim për të biseduar edhe për çështje të tjera si ajo e mësimdhënësve me sëmundje të rënda, të cilët janë liruar nga puna me pagesë të plotë sipas master-planit të Ministrisë së Arsimit.
“Ditëve të fundit kanë filluar që këta punonjës t’i ftojnë për kthim në punë, me arsyetimin se MFPT nuk ia ka bartur mjetet financiare komunave për t’i paguar të punësuarit që zëvendësojnë këtë kategori dhe në pikën 4 të Vendimit të Qeverisë për stafin esencial, të cilën ndonjë DKA mund ta ketë lexuar e kuptuar gabimisht sepse në kohën kur Qeveria e Kosovës po angazhohet të mbroj punëtorët shtatzëna duke i liruar nga obligimi për paraqitje në vende pune, është veprim jo human të kërkohet që punëtorët e sëmurë rënd të kthehen në punë sepse prekja me Covid për ta do të kishte pasoja fatale dhe për këtë dikush duhet të jetë përgjegjës”, thuhet tutje në letrën e tyre./Insajderi.com