Qeveria jep detaje të reja nga takimi i Kurtit me homologun belg

Qeveria jep detaje të reja nga takimi i Kurtit me homologun belg

Nga Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje të reja për takimin që ka zhvilluar të mërkurën kryeministri i vendit, Albin kurti me homologun e tij belg, Alexander De Croo, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim, De Croo ka ritheksuar mbështetjen e Belgjikës për synimet e Qeverisë së Kosovës në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe afrimit me Bashkimin Evropian, si dhe për dialogun.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Gërvalla, e falënderoi kryeministrin De Croo për letrën e urimit me rastin e marrjes së detyrës, për mikpritjen, angazhimin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës nga ai dhe shteti belg në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe transatlantik. Ai e njoftoi kryeministrin De Croo për përkushtimin dhe prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik, dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në njoftimin për medie.

Tutje bëhet e ditur se Kurti dhe De Croo kanë diskutuar rreth mundësive dhe formave të rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

“Me vëmendje të veçantë te përfshirja e mërgatës sonë, e cila është integruar mirë dhe kontribuon në Belgjikë. U bisedua për vaksinat kundër COVID-19, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për sigurimin e tyre dhe mundësitë e mbështetjes së Belgjikës në këtë synim”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë takim morën pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj dhe ministrja këshilltare, Gjeneza Budima/Insajderi.com