Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se më 5 maj 2021, do të rifillojë mësimi për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës në bazë të Vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar, njofton Insajderi.
“Të drejtën për mësim duhet ta gëzojnë të gjithë, pra edhe nxënësit e Kamenicës”, ka thënë Nagavci.
Po ashtu, Inspektorët e Arsimit, në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorë të këtyre shkollave, kanë filluar përgatitjet për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
“Presim nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi Vendimin dhe mësimi të organizohet për nxënësit e: SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi”, në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo shtoi se, zbatimi i këtij vendimi nuk ka kosto shtesë për transport, pasi mësimi do të zhvillohet në shkollat ku nxënësit i kanë mbajtur më herët mësimet.
“Presim nga mësimdhënësit të jenë të gatshëm të kryejnë detyrën e tyre dhe të ofrojnë mësimdhënien për të gjithë nxënënsit”.
Nagavci ka cekur se nëse dikush punon mbinormë është obligim i komunës të hartojë dhe dorëzojë raportet e detajuara.
“Nga ana tjetër askush nuk mund t’i pengojë mësimdhënësit gjatë procesit mësimor e as t’i penalizojë për punën që e kryejnë”, ka shtuar Nagavci.
Ajo ka theksuar se pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumfishta.
“Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka përfunduar Nagavci. /Insajderi.com