Kusari-Lila: Nuk kemi ndarë mjete për rrymën në Veri, kemi autorizuar KOSTT-in

Kusari-Lila: Nuk kemi ndarë mjete për rrymën në Veri, kemi autorizuar KOSTT-in

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë gjatë kësaj periudhe kohore, njofton Insajderi.

Këtë propozim e ka bërë në debatin parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore, e që mori mbështetjen e Komisionit me gjashtë vota për dhe tre kundër.

Kundër këtij propozimi ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, i cili tha se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serbë në veri, e që propozimi i tij ishte që Qeveria të paguajë edhe gjashtë muaj, jo KOSTT-i.

“Konsideroj se ne duhet ta ruajmë pavarësinë financiare deri në pikën e fundit të njësisë KOSTT dhe barra e përgjegjësisë edhe financiare dhe politike duhet t’i takojë Qeverisë. Në këtë relacion unë i kam shkruar rekomandimet e mia, duke thënë që Qeveria është autoritet i vetëm që mund dhe merr përgjegjësinë për implementim apo mos implementimin e këtyre situatave të krijuara në këtë zonë të ndjeshme”, deklaroi Shala.

Kurse, sipas deputetes Kusari Lila, më mirë është të ndahen mjete prej KOSTT-it për veriun, se sa, siç tha ajo, “të dërgohen forca policore dhe të kthehen në arkivol, sikur rasti i policit, tashmë hero, Enver Zymberi”.

Kusari Lila shtoi se Qeveria obligohet që brenda afatit gjashtë mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi në bashkëpunim me palët përgjegjëse për konsumatorët në katër komunat e Kosovës.

E deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërin e Kosovës, Pal Lekaj, theksoi se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme, sipas të cilit asnjë zgjidhje nuk do të mund të bëjë Qeveria për gjashtë muaj. Lekaj ngriti edhe rrezikun e shkeljes ligjore për këtë veprim të mërkurës së 28 prillit.

“E kemi një vendim të 2017 ku KOSTT-i ka pranuar nga ZRRE-ja shkresë për njoftimin e zbatimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilës ZRRE-ja i pezullon të hyrat KOSTT-it për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, të nxjerrë në bazë të raportit të Avokatit të Popullit. Dhe tash ne çka po bëjmë? Nuk është shfuqizuar ky vendim”, tha Lekaj.

Ministrja e Ekonomisë në këtë Komision ka theksuar se ende nuk kanë gjetur mjete për kërkesën financiare të KOSTT-it.

Kurse, drejtues të KOSTT-it kanë thënë se kanë mjete të mjaftueshme nga të hyrat e tyre për pagesë vetëm e vetëm që të ruajnë anëtarësimin me ENTS-E. /Insajderi.com