Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është deklaruar rreth publikimit të “non-paper-it” të fundit, i pretenduar se ka dalë nga Gjermania dhe Franca dhe flet për një status special për veriun e Kosovës, transmeton Insajderi.
Von Cramon ka thënë se nuk e di nëse ky dokument ka mbështetje jo-zyrtare, derisa ka ftuar diplomacitë evropiane që të koordinohen për të evituar çdo keqkuptim.
“Ajo që propozohet në atë dokument (non-paper) duket si statusi i Tirolit Jugor në Itali që zgjidhi problemet bilatarele mes Italisë dhe Austrisë. Mund të jetë një model i suksesshëm, por duhet të jetë i personalizuar duke marrë specifikat e situatës në Kosovë. Të presim e të shohim, por unë i ftoj diplomacitë evropiane të rrisin shkallën e koordinimit për të evituar çdo keqkuptim”, deklaroi eurodeputetja gjermane për TV Dukagjinin.
Von Cramon shpreson në vazhdim të dialogut me rastin e vizitave të Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, duke u shprehur e lumtur që tashmë shkëmbimi i territoreve është hedhur poshtë nga SHBA dhe BE.
“Jam e lumtur që tashmë çfarëdo shkëmbimi i territoreve është jashtë tryezës”, deklaroi më tej Von Cramon.
Tiroli Jugor është provincë autonome në veri të Italisë që kufizohet me Austrinë dhe e populluar nga gjermanfolës. Shkalla e lartë e autonomisë për këtë regjion që përbëhet nga 115 komuna, e shndërron atë në, de fakto, krahinë autonome. /Insajderi.com