Infermierët protestojnë nesër para QKUK-së, këto janë kërkesat e tyre

Infermierët protestojnë nesër para QKUK-së, këto janë kërkesat e tyre

Infermierët e Kosovës të premten pritet të protestojnë para objektit të Kirurgjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, njofton Insajderi.

Ata po kërkojnë rritje të pagesës së ndërrimeve të natës, pagesë të punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë.

Protesta do të fillojë në orën 10:00.

Kështu ka bërë të ditur infermieri Enlirat Duraku, i cili ka ftuar kolegët e tij që të marrin pjesë masivisht.

“Deri sa Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka buxhet që të ndajë fonde prej 200 mijë euro për kafe ndërsa ka buxhet po ashtu që t’ua paguaj energjinë elektrike minoriteteve, sigurisht që duhet të ketë buxhet edhe për rritje të pagesës së ndërrimeve të natë për infermier, pagesë të punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë”, ka shkruar Duraku në Facebook.

“Andaj kolegë të nderuar ju ftoj që me pjesëmarrje masive në këtë protestë t’i kërkojmë të drejtat tona legjitime. Protesta do mbahet para objektit të Kirurgjisë në QKUK, sigurisht duke iu përmbajtur rekomandimeve të IKSHPK-së, vendosjen e maskave dhe ruajtjen e distancës fizike. T’i lëmë anash inatet dhe interesat personale për të mirën e përgjithshme”, ka shkruar ai.

Duraku po ashtu ka ftuar Sindikatën e Infermierëve të Kosovës dhe Odën e Infermierëve të Kosovës që t`i bashkëngjiten në protestë./Insajderi.com