Mediat serbe: Kjo është autorja e non-paper që i atribuohet Gjermanisë dhe Francës

Mediat serbe: Kjo është autorja e non-paper që i atribuohet Gjermanisë dhe Francës

Mediat serbe po pretendojnë se Angelina Eichhorst nga Holanda është autore e një “non-paper” të publikuar të hënën e që i  atribuohet Gjermanisë dhe Francës, njofton Insajderi.

Gazeta e afërt me pushtetin serb, Kurir, ka shkruar të enjten se “vetëm një person që ka marrë pjesë në takimet Kosovë-Serbi mund ta shkruante një dokument të tillë me aq dinakëri”.

Eichhorst është drejtoresh Ekzekutive e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm – ajo ishte përfshirë në dialogun e Brukselit për shtatë vjet, sidomos gjatë mandatit të shefes të atëhershme së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Të mërkurën, i pari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se burimet diplomatike ia kanë kumtuar se “kush është autori i dokumentit”.

Në atë dokument përmendej “një zonë autonome brenda Kosovës” si dhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – si projekt gjermano-francez.

Dy shtetet e apostrofuara si autore të dokumentit kanë mohuar kategorikisht që qëndrojnë mbrapa diçkaje të tillë.

Ndërsa për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas atij “non paper”, qëndron Beogradi.

Por, ky nuk ishte “non-paper” i parë publik – një tjetër u publikua në media duke iu atribuar Sllovenisë.

Sllovenia dhe çdo shtet tjetër i BE-së e mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga emisari evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

11 Maji ishte përmendur si datë potenciale që do t’i vendoste ballë për ballë dy njerëzit me të pushtetshëm në Kosovë dhe Serbi; Vuçiqin dhe Kurtin, por ky i fundit ka refuzuar pjesëmarrjen  me arsyetim se nuk ka qenë i njoftuar. /Insajderi.com